Pastrimi i rrugëve nga një kompani me të cilën Komuna e Pejës nuk kishte kontratë del të jetë e dyshimtë dhe pa bazë ligjore. Në ndërkohë, Komuna e Pejës, sipas ekspertit të OSHP-së, ka bërë shkelje ligjore në tenderin për pastrim të rrugëve.
Bora që kishte rënë në tërë Kosovën në fillim të muajit janar e ka zënë në befasi të plotë Komunën e Pejës. Kjo komunë që nga muaji dhjetor nuk kishte kompani të kontraktuar për pastrimin e borës. Tenderi i hapur në muajin dhjetor ishte pezulluar për shkak të pretendimeve të operatorëve se Komuna e Pejës ka bërë shkelje ligjore.
Zvarritja e tenderit për pastrimin e borës ka bërë që Komuna e Pejës të mbetet e bllokuar nga bora për një kohë, pas reshjeve të muajit janar. Mos pastrimi i rrugëve dhe trotuareve nga bora bëri që të ketë shumë ankesa nga qytetarët e këtij qyteti.
Ankesa të adresuar pati edhe në KALLXO.com gjatë kohës kur kishte reshje të borës. Për këto ankesa u raportua në fillim të janarit, mirëpo zyrtarët komunalë thanë së rrugët janë të kalueshme por bizneset duhet vetë ta heqin borën para lokaleve të tyre.