Zjarri është rrezik real nga i cili, përveç pronës materiale, mund të humbni edhe jetën. Mos lejoni t’ju ndodhë, sigurohuni me kohë!
Ndiqni hap pas hapi si të reagoni në rast zjarri sipas një udhëzuesi të publikuar nga OSCE
SI TË PARANDALOHEN? Me rëndësi jashtëzakonisht të madhe është respektimi i këtyre rregullave:
Mos e lini sobën e ndezur pa mbikëqyrje;
Mos pini cigare në shtrat;
Kontrolloni rregullisht instalimet elektrike, pajisjet ngrohëse dhe sistemet;
Mbani çakmakët dhe shkrepëset sa më larg fëmijëve;
Mos i përdorni pajisjet ngrohëse me gaz ose me flakë të hapur në mjedise me ajrim të dobët.
Masat e parandalimit;
Nga bodrumi, garazhi, tavani, dhe të ngjashme si këto, largoni të gjitha gjërat e depozituara të ndezshme, siç janë revistat e vjetra, kutitë me ngjyrë, tretësit, si edhe mobiliet e vjetra, rrobat etj.
Pastroni shkallët e emergjencës dhe kalimet e zakonshme dhe mbajini domosdoshmërisht të kalueshme, sepse, zakonisht, kjo është rruga e vetme e sigurt dhe mënyra që të ruani jetën tuaj dhe jetën e familjes suaj.
Rikontrolloni pajisjen tuaj kundër zjarrit: aparatet kundër zjarrit, zorrët, hidrantët, dhe mbajini ato në gjendje të rregullt.
Mësohuni që ta përdorni sipas rregullit (ta aktivizoni) aparatin kundër zjarrit dhe mësoni anëtarët e familjes suaj, sepse, në rast zjarri, nuk do të keni kohë të lexoni udhëzuesin e përdorimit në etiketën e pajisjes.
Mësoni fëmijët që, në rast zjarri, të lajmërojnë njësitë e zjarrfikës-shpëtimit në numrin 128.
Nëse shikoni zjarr apo ndieni erë tymi në banesën apo ndërtesën tuaj, njoftoni shërbimin e zjarrfikësit dhe asnjëherë mos hamendësoni se këtë e ka bërë tashmë dikush tjetër.
Bishtin e pashuar të cigares mos e hidhni asnjëherë nga dritarja apo nga ballkoni, pasi, në shumicën e rasteve, do të përfundojë në dhomën apo tarracën e ndonjë prej banesave poshtë jush dhe do të shkaktojë zjarr.
Mos përdorni ujë për të shuar zjarrin në instalimet dhe pajisjet elektrike apo për zjarrin e shkaktuar nga benzina dhe vaji.
Nëse gjatë natës shikoni zjarr dhe nuk keni alarm për rast rreziku, dilni në dritare ose në korridor dhe bërtisni “zjarr” për të zgjuar anëtarët e familjes dhe fqinjët.
Telefononi në numrin e emergjencave, dhe jepni të dhëna konkrete për vendndodhjen e zjarrit: adresën, katin dhe numrin e banesës.
Nëse zjarri ka përfshirë vetëm një dhomë të banesës suaj, mbyllni derën e asaj dhome dhe shkëpusni energjinë elektrike. Lajmëroni zjarrfikësit dhe largoni anëtarët e familjes. Nëse zjarri ka vëllim të vogël, përpiquni ta fikni.
Nëse zjarri ka vëllim më të madh, braktisni banesën, duke i mbyllur të gjitha dyert pas vetes. Në të kundërt, për shkak të hyrjes së ajrit të freskët, zjarri do të përhapet shpejt në të tërë banesën.
Në rast evakuimi, me rëndësi është që të gjithë anëtarët e familjes të mblidhen në të njëjtën dhomë, sepse ekziston mundësia që fëmijët nga frika të fshihen. Vetëm kur të mblidheni të gjithë, nisuni të dilni jashtë.
Përgatituni që do të hasni në tym të dendur e shumë të nxehtë. Nëse keni kohë, mbathni këpucë me platformë të trashë, vishni pallton dhe lidhni lecka dhe peshqirë të lagur me ujë sipër hundës dhe gojës.
Mos e përdorni asnjëherë ashensorin, pasi, gjatë zjarrit, çlirohet tym i dendur, që përmban helme të shumta. Këto helme, shumë shpejt, mbushin hapësirën dhe kabinën e ashensorit, gjë që shkakton vdekjen e sigurt nga zënia e frymës e të gjithëve atyre që gjenden aty.
Nëse nuk jeni të rrezikuar drejtpërsëdrejti nga zjarri, më së miri është të qëndroni pas dyerve të mbyllura të banesës suaj. Në rast se tymi fillon të depërtojë rreth derës, lagni peshqirët dhe leckat me ujë dhe vendosini rreth kornizave të dyerve dhe para derës për të parandaluar depërtimin e tymit në banesë. Nëse ajri i jashtëm është i pastër, dilni në ballkon duke e mbyllur pas vetes derën e ballkonit dhe pritni zjarrfikësit që të përfundojnë fikjen e zjarrit, sepse në banesën tuaj jeni më të sigurt.