Manastiri i Deçanit
Manastiri Deçanit është ndërtuar në pjesën e parë të shekullit XIV. Bazuar në mbishkrimin e gravuar mbi arkitraun e portikut jugor në narteksin (hajatin) e kishës ajo është ndërtuar në periudhën 1327-1335.
Manastiri i Deçanit gjendët në perëndim të Kosovës, në Komunën e Deçanit, në luginën e lumit Lumbardhë. Kisha së bashku me kupolën është e lartë 32 m, gjatë perjudhës mesjetare është njohur me emrin Deçani i Lartë. Nga jashtë, ndërtimi i kishës është përzierje e stileve romake dhe të gotikës, ndërsa brenda është e mbuluar me vizatime të kombinuara tradicionale të stilit ortodoks të lindjes dhe atij bizantin.
Manastiri është ndërtim monumental, bazilikë me pesë anijata e mbuluar me kube, e cila qëndron mbi tambur dhe narteksin me tri anijata. Në Kishë janë të ndërtuar edhe dy altarë të veçantë. Njëri në pjesën veriore të Kishës së Shën Dhimitrit, ndërsa tjetri në anën jugore të Kishës së Shën Nikollës. Arkitekti kryesor i Manastirit të Deçanit ka qenë mjeshtri Fra Vito nga Kotorri, një murg françeskan, i cili e kishte zbukuruar manastirin me shumë elemente të cilat e veçojnë romanikën. Njëkohësisht, manastiri i Deçanit është i pasur me freska nga shekulli XIV.
Manastiri ka një thesar të pasur të eksponateve të lëvizshme me vlera të mëdha muzeale. Në këto koleksione duhet veçuar ikonat, librat në dorëshkrim si dhe lëndët e ndryshme në përdorim për ceremonitë liturgjike.
Manastiri i Deçanit është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore në mbrojte të UNESCO. Bazuar ne vlerat historike, artistike, shoqërore dhe shpirtërore, aseti I trashëgimisë Kulturore Manastiri i Deçanit në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Bazuar në informacionet e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.