Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore kërkoi nga ministri i Kulturës, Kujtim Gashi anulimin e vendimit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë për qëllime afariste.
Përmes një kërkese zyrtare drejtuar MKRS-së, KKTK kërkon nga ministri Gashi shfuqizimin e Vendimit Nr.68/2019 të datës 16.10.2019, të marrë nga institutit i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, pasi që, siç thuhet në kërkesën e KTKK, i njëjti është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për trashëgimi kulturore, dhe ndikon në cenimin e integritetit te Kalasë se Vjetër në Vushtrri
“Ri aktualizimi dhe vendimi i njëanshëm i IKMM është përpjekje që ka filluar në vitin 2017 , dhe i cili në atë kohe ishte pezulluar. Konsiderojmë dhe besojmë fuqishëm se në rrethana të njëjta ligjore ky veprim përveç që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për trashëgimi kulturore, i njëjti nuk kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por rrezikon seriozisht asetin në fjalë”, thuhet në kërkesën e KKTK drejtuar ministrit Gashi.
Sipas KKTK, Kalaja e Vjetër në Vushtrri bazuar në kriteret dhe vlerat arkeologjike, historike dhe shkencore nga KKTK dhe në bazë të vendimit Nr.0 0712016 të datës 06.10.2016, është shpallur aset i trashëgimisë e kulturore në mbrojtje të përhershme në kuadër të kategorisë së trashëgimisë arkeologjike.
“Duke pas parasysh se aseti i takon trashëgimisë kulturore arkeologjike, IKMM nuk është institucion kompetent për të marrë një vendim të tillë. Prandaj mbi bazën e këtyre argumenteve kërkojmë nga MKRS që: 1. Të shfuqizojë Vendimin Nr.68/2019 të datës 16.10.2019, për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të Kalasë së Vushtrrisë si vendim i kundërligjshëm. 2. Urgjentisht të hartojë planin e administrimit – menaxhimit për Kalanë në
Vushtrri, sipas Vendimit te KKTK-se të datës 06.10.2016, Nr.00712076, pika 4”, thuhet në kërkesën e KKTK drejtuar ministrit Gashi për anulimin e vendimit të IKMM për dhënien në shfrytëzim Kalasë së Vushtrrisë për qëllime afariste.
Ditë më parë, më 16.10.2019, drejtori i IKMM-së, Ismet Harjrullahu, ka marrë vendim për të aprovuar kërkesën e ‘Dardania Castle” për shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë.