Xhamia e Sinan Pashes

Xhamia e Sinan Pashës ndodhet në Zonën Historike të qytetit të Prizrenit. Me pozitën e saj dominuese, dimensionet, formën, proporcionin e minares ndaj kupolës, materialet dhe teknikën e ndërtimit, dekorimet e pasura në enterier, Xhamia e Sinan Pashës paraqet njërin prej monumenteve më karakteristike të Prizrenit e ndërtuar në vitin 1615.

Ka planimetri katrore me një nishë në pjesën juglindore që e bën xhaminë më specifike në krahasim me të tjera në Kosovë. Minarja e xhamisë është ndërtuar prej gurëve shtufe (siga), me bazë katrore dhe trung rrethor. Para hyrjes në xhami ndodhet hajati i hapur, i punuar prej guri. Hajati ka tri kupola të mbuluara me plumb të cilat mbështeten në shtylla guri me bazë rrethore. Xhamia mbulohet me një kupolë të gjerë më diametër 42.5 m. Enterieri është hapësirë unike, e ndriçuar përmes dritareve të radhitura në nivele, me kupolë të pikturuar me motive florale në tri faza.

Dy fazat e para të pikturave murale u takojnë shekujve XVI-XVII të punuar me teknikën “al seko”, kurse faza e tretë i takon periudhës së shekullit XIX të punuar në stilin Barok, ku mbizotërojnë motivet me ngjyrë të kaltër. Në anën jugorë të xhamisë gjendet oborri i madh i rrethuar me mure nga guri. Sipas tipologjisë xhamia e Sinan Pashës i takon tipit të xhamive me nishë (mihrab) dhe me hajat (portik) të ndërtuar prej guri, në të cilin gjendet edhe një mihrab. Deri ne vitin 1912, xhamia ka shërbyer për nevoja fetare, ndërsa gjate luftërave ballkanike dhe luftës së parë botërore pësoj dëmtime të mëdha, sidomos të hajatit.

Me formimin e Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në vitin 1967, filloi përkujdesja për monumentet. Kështu gjatë viteve 1968, 1969 pas një renovimi xhamia shndërrohet në Muze të Dorëshkrimeve Orientale, kurse gjatë viteve 1973-1978 bëhet restaurimi dhe konservimi i pikturave murale. Nga viti 2007 deri në vitin 2011 janë bërë punimet restauro-konservuese si në enterier po ashtu edhe në eksterier.

Duke u bazuar në gjurmët dhe dokumentet e vjetra është bërë rikonstruimi i tërësishëm i Hajatit, përforcimi struktural i kupolës, ndërrimi i mbulesës nga plumbi, restaurimi dhe konservimi i pikturave murale. Në vitin 2011 Xhamia e Sinan Pashës pas një periudhe të gjatë është hapur përsëri në shërbim të besimtarëve.

Bazuar në vlerat historike, artistike, shkencore, shpirtërore dhe rariteti, aseti Xhamia e Sinan Pashës në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Ky shkrim u bazua ne informacionet e Keshillit te Kosoves per Trashegimi Kulturore

Recommended Posts