Si t’i evitoni aksidentet gjatë ditëve me shi
Siç njoftojnë meteorologët, të reshurat do na përcjellin gjatë ditëve në vazhdim. AMCK ju këshillon që të keni kujdes kur ngisni veturën, dhe t’i ndiqni këshillat tona për parandalimin e aksidenteve.
Mëngjesi, i rrezikshëm
Vjeshta dhe dimri përveç të reshurave karakterizohen edhe me mjegull, e cila ndikon negativisht duke e zvogëluar dukshmërinë. Për këtë është e rëndësishme që të mbahet distanca e caktuar, gradualisht dhe në kohë të frenohet, dhe të shmangen lëvizjet e papritura dhe ato të ndërrimit të drejtimit.
Në vendet me banim është e nevojshme që të keni kujdes të shtuar, sidomos në afërsi të shkollave, vendeve për këmbësorë dhe në udhëkryqe. Sa i përket jashtë qytetit, rreziqet më të mëdha janë në kthesa, sidomos në rrugët e lagura, ku mundësia që vetura të rrëshqas është shumë e madhe.
Duke u bazuar në statistikat e faktorëve të aksidenteve, pikërisht humbja e kontrollit të makinës, është fajtori kryesor për numrin e madh të aksidenteve në të cilat mbeten shumë të lënduar dhe të vdekur.
Zgjatja e rrugës së frenimit
Kur rruga është e lagur, rruga e frenimit është për 50 për qind më e gjatë sesa në kushtet normale të ngasjes. Në praktikë, kjo do të thotë që me rastin e ngasjes së makinës me shpejtësi 50 kilometra në orë në kushte normale rruga e ndalimit është përafërsisht 29 metra, derisa në shi kjo zgjatet deri në rreth 45 metra.
Ndërsa me rastin e shpejtësisë deri në 100 kilometra në orë, për ndalim nevojiten 90, përkatësisht 155 metra. Pasi që nga 15 nëntori deri më 15 mars janë të domosdoshme pajisjet dimërore, në radhë të parë pneumatikët e dimrit, kur në rrugë ka borë e akull është e nevojshme që me kohë t’i ndërroni gomat, dhe po ashtu të kontrolloni gjendjen në të cilën gjendet makina, të kontrolloni akumulatorin, fshirësit e xhamave dhe sistemin për ngrohje, shkruan AMCK.