Skip to content

Projekte të kaluara

Auto Moto Klubi i Kosovës (AMCK) ka realizuar një varg projektesh ndër vite që lidhen me sigurinë rrugore, edukimin qytetar, përmirësimin e infrastrukturës dhe mbrojtjen e ambientit. Më poshtë paraqiten projektet tona më përfaqësuese:

2021–2023 | Fushata “Drive in the Moment”

Partner: FIA
Një fushatë ndërkombëtare për vetëdijesimin ndaj ngasjes me shpërqendrime, veçanërisht përdorimin e telefonit gjatë vozitjes. AMCK zhvilloi këtë kampanjë me video edukative, infografika, aktivitete me figura publike, billboarde digjitale dhe një prani të fuqishme në rrjete sociale. Qindra qytetarë morën pjesë në aktivitete ndërgjegjësuese në Prishtinë, Ferizaj, Pejë dhe qytete të tjera.

2021 | Gara me karting – Prishtina Mall

Një ngjarje dinamike për të rinjtë, e organizuar në bashkëpunim me Prishtina Mall, ku u kombinuan argëtimi dhe edukimi për sigurinë rrugore. Pjesëmarrësit konkurruan në pistën e kartingut ndërkohë që u informuan për rregullat themelore të sjelljes së sigurt në trafik. Aktiviteti u shoqërua me shpërndarje materialesh dhe angazhim të lartë në terren.

Qershor 2019 | 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Partner: Eurogoma
Organizuam një ditë të veçantë për fëmijët ku, përmes lojërave edukative, mësuan për shenjat e trafikut dhe sjelljet e sigurta si këmbësorë. Çdo fëmijë mori çertifikatë pjesëmarrjeje dhe dhurata simbolike, duke e bërë edukimin të këndshëm e të paharrueshëm.

Maj 2019 | Rotacion Profesionesh me Policinë e Kosovës dhe Shoferët e Taksive

Në këtë projekt unik, shoferët dhe zyrtarët policorë ndërruan rolet për një ditë për të kuptuar perspektivën e njëri-tjetrit. Diskutimet e pasuara ndihmuan në krijimin e një bashkëpunimi më të mirë dhe në reduktimin e tensioneve të përditshme në komunikacion.

Prill – Maj 2019 | “Mini Kampionati i Sigurisë Rrugore” për fëmijë

Këtë kampionat edukativ e organizuam në qendër të Prishtinës për të rritur vetëdijen e fëmijëve mbi rëndësinë e rripit të sigurisë, kufizimet e shpejtësisë dhe ndalimin e përdorimit të telefonit. Aktiviteti përfshiu lojëra, teste dhe shpërblime.

Prill 2019 | “Driver of the Day”

Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, shpërblyem shoferët që i jepnin përparësi këmbësorëve. Fushata synonte të promovonte sjelljet e mira dhe të nxitë respektin në komunikacion.

Janar 2019 | Iniciativa për ndalimin e importit të veturave mbi 10 vjet

AMCK kundërshtoi zyrtarisht rritjen e kufirit të importit të veturave nga 10 në 15 vjet. U dërguan letra zyrtare në Qeveri dhe Kuvend, u organizua një fushatë mediatike dhe u arrit suksesi: kufiri mbeti 10 vjet. Ky ishte një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e ambientit dhe sigurisë rrugore.

2018 | #3500Lives – Kampanja Globale FIA

AMCK ishte pjesë e kësaj kampanje ndërkombëtare, duke promovuar mesazhe të thjeshta dhe të fuqishme si: #MosPërdorTelefonin, #VendoseRripin dhe #MosShpejto. Aktivitetet përfshinë citylights, shpërndarje të aromatizuesve me mesazhe sensibilizuese dhe prezencë në evente të FASK.

Shtator 2018 | Dita Botërore e Ndihmës së Parë

Partner: Kryqi i Kuq i Kosovës
U mbajtën trajnime publike për ndërhyrje në rast aksidenti, u shpërndanë materiale informuese dhe qytetarët patën mundësinë të mësojnë teknika bazike të shpëtimit jetësor.

Dhjetor 2017 | Fushata “Slowing Down Saves Lives” (FIA)

Fushata përfshiu një lojë online me tema të sigurisë në trafik, fushata në TV dhe shpërndarje të materialeve për ndërgjegjësim mbi ndikimin e shpejtësisë në aksidente.

Tetor 2017 | Park Your Phone (FIA)

Kampanjë edukative për fëmijët në çerdhe dhe shkolla fillore mbi rreziqet e përdorimit të telefonit nga shoferët. U zhvilluan lojëra ndërvepruese dhe prezantime të përshtatura për moshën.

2017 | Rishikimi i sinjalistikës në rrethrrotullimin afër shkollës “Ali Sokoli”, Prishtinë

Në bashkëpunim me Policinë dhe Komunën e Prishtinës, u analizua rrethrrotullimi dhe u vendos sinjalistikë më e qartë për të përmirësuar qarkullimin dhe sigurinë në zonë.

2017 | Trajnime për shoferët e taksive – Ndihma e Parë

Në partneritet me Kryqin e Kuq, AMCK organizoi trajnime për taksistët në të gjitha komunat e Kosovës. Synimi ishte përgatitja e tyre si ndihmë e parë e mundshme në rast aksidenti – një model i huazuar nga shembujt evropianë më të avancuar.