Më 2 dhe 3 gusht 2025, pista e vjetër e Sllatinës u shndërrua në qendrën e adrenalinës dhe garave spektakolare me mbajtjen e Drag Race 2, një prej eventeve më të mëdha të motorsportit në Kosovë.
Gara, e organizuar nga Eurogoma Racing Team, mblodhi dhjetëra garues nga zona të ndryshme të vendit dhe rajonit, duke tërhequr një publik të gjerë të apasionuar pas shpejtësisë dhe sporteve motorike. Atmosfera ishte elektrizuese, ndërsa secili duel në pistë solli emocione dhe sfida të vërteta.
Auto Moto Klubi i Kosovës (AMCK) ishte partner teknik i garës, duke siguruar standardet profesionale dhe kushtet e nevojshme për zhvillimin e saj në mënyrë të rregullt dhe të sigurt. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e AMCK-së për të mbështetur motorsportin vendor dhe për të promovuar kulturën e garave të organizuara sipas rregullave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Drag Race 2 konfirmoi edhe një herë interesimin e madh që ekziston në Kosovë për sportet motorike dhe rëndësinë e partneriteteve profesionale për të ngritur nivelin e tyre organizativ.

