Nga 15 nëntori, çdo veturë në Kosovë duhet të jetë e pajisur me goma dimërore. Ky është një nga rregullat më të rëndësishme të qarkullimit në sezonin e ftohtë – dhe një nga masat më efikase për të parandaluar aksidentet në rrugë.
Megjithatë, shumë shoferë vazhdojnë të nënvlerësojnë rolin e gomave të dimrit, duke i zëvendësuar vonë, ose vetëm në rrotat e përparme – një praktikë që vë në rrezik sigurinë e të gjithëve në trafik.
Më shumë se një detaj teknik
Gomat dimërore nuk janë thjesht “goma të zakonshme” me emër tjetër. Ato prodhohen nga përbërje e butë që nuk ngurtësohet në temperatura të ulëta, dhe kanë kanale të thella që shpërndajnë borën dhe ujin, duke rritur kapjen me asfaltin. Kjo i bën ato të domosdoshme posa temperaturat zbresin nën 7°C – edhe nëse nuk ka borë.
Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, veturat me goma verore në rrugë të lagështa apo të ngrira kanë distancë ndalimi shumë më të gjatë dhe janë më të prira për të humbur kontrollin në kthesa.
Katër, jo dy!
Një tjetër keqkuptim i përhapur është ideja se “dy goma dimërore mjaftojnë”. Kjo është e gabuar dhe e rrezikshme. Vetëm nëse të katër rrotat janë të pajisura me goma dimërore, vetura mund të ruajë balancin gjatë frenimit apo manovrimit në akull dhe borë. Përndryshe, rreziku i rrotullimit ose rrëshqitjes është shumë i lartë.
Simboli që duhet kërkuar
Çdo gomë dimërore e certifikuar duhet të ketë në anën e jashtme simbolin “tri majat e malit me një flok bore” – i njohur si 3PMSF (Three Peak Mountain Snowflake). Ky simbol është garanci që goma është testuar për performancë në kushte dimri.
Rregulloret në Kosovë
Ligji në Kosovë është i qartë: nga 15 nëntori deri më 15 mars, çdo automjet që qarkullon në rrugë duhet të jetë i pajisur me goma dimërore. Në rastet kur rruga është e mbuluar me borë ose akull, kërkohet edhe posedimi i zinxhirëve në bagazh. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve mund të rezultojë me gjobë, por mbi të gjitha, mund të rrezikojë jetën.
Të shtunën (25 tetor 2025), parkingu jugor i qendrës tregtare “Prishtina Mall” u shndërrua në pistë elektrizuese për një ngjarje të veçantë: gara auto sllallom me vetura elektrike, e organizuar nga Auto Moto Club Kosova (AMCK) dhe Federata e Auto Sportit të Kosovës (FASK), në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, e cila u paraqit me një pjesëmarrje mbresëlënëse.
Ngjarja, përveç komponentës sportive, kishte një mesazh të fortë dhe human – të ngrisë vetëdijen në luftën kundër kancerit të gjirit. Tetë ekipe garuese, përfaqësuese të shtatë regjioneve policore si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme, u sfiduan gjatë gjithë ditës në gara individuale (femra e meshkuj), ekipore dhe në një superfinale emocionuese.
Pas fazave kualifikuese me më shumë se 80 pjesëmarrës, u përzgjodhën 10 finalistët më të mirë – nga pesë për secilën kategori gjinore – të cilët garuan për titullin në superfinalen përmbyllëse.
Fituesja e madhe e ditës ishte Ermira Topalli nga Rajoni i Ferizajt – 05, e cila shkëlqeu me kohë të jashtëzakonshme: 37.830 dhe 37.939 sekonda, për një total mbresëlënës prej 01:15.769.
“Jam thellësisht falënderuese për organizatorët që i dhanë kësaj gare një mision kaq të rëndësishëm – mbështetjen për gratë që luftojnë me kancerin e gjirit. Po ashtu, jam e lumtur për pjesëmarrjen e kolegëve nga e gjithë Policia e Kosovës. Fitorja është një emocion më vete, veçanërisht duke pasur parasysh konkurrencën e fortë edhe me kolegë meshkuj në finale,” u shpreh Ermira, e cila dikur ishte garuese aktive në AK Ferizaj.
Pavarësisht një pauze të gjatë nga garat, ajo dëshmoi se aftësitë dhe përvoja mbesin të gjalla.
Ismet Rexhepi, drejtori i garës, vlerësoi ngjarjen si tejet të suksesshme: “Ishte një ditë dinamike dhe e mbushur me energji pozitive. Falënderojmë Policinë e Kosovës për angazhimin dhe pjesëmarrjen. Qëllimi ynë kryesor ishte të kontribuojmë në ndërgjegjësimin për luftën kundër kancerit të gjirit – dhe kjo garë ishte mënyra jonë për të thënë që jemi pranë çdo gruaje që po përballet me këtë sfidë. Plane të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen.”
Sa i përket renditjes, në kategorinë e meshkujve, triumfoi Ram Bobaj nga Rajoni i Prizrenit, i ndjekur nga Kastriot Ratkoceri (Drejtoria e Përgjithshme) dhe Liridon Krasniqi (Rajoni i Prishtinës).
Në kategorinë e femrave, pas Ermirës, u renditën Adea Popaj (Rajoni i Prizrenit) dhe Shqipe Osmani-Ademaj (Drejtoria e Përgjithshme).
Renditja ekipore për kategorinë e femrave ishte si vijon:
Rajoni i Ferizajt
Drejtoria e Përgjithshme
Rajoni i Prizrenit
Rajoni i Gjilanit
Rajoni i Mitrovicës
Rajoni i Prishtinës
Rajoni i Pejës
Rajoni i Gjakovës
Ndërsa te meshkujt, renditja e rajoneve ishte:
Prizreni
Peja
Drejtoria e Përgjithshme
Prishtina
Mitrovica
Ferizaj
Gjilani
Gjakova
Në përfundim të garës, AMCK ndau një donacion me vlerë prej 3000 euro për blerjen e pakove ndihmëse për gratë që përballen me kancerin e gjirit, duke theksuar se mbështetja do të vazhdojë si pjesë e misionit të tyre për përgjegjësi sociale.
Auto Moto Club Kosova (AMCK) dhe Federata e Autosporteve të Kosovës (FASK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ju ftojnë në edicionin e veçantë të këtij viti: Auto Slalom me vetura elektrike, ku çdo kthesë është një zë për Muajin Rozë dhe kontrollet e hershme shëndetësore.
Data: E shtunë, 25 Tetor 2025 Ora:09:00 Vendi:Parking Jugor – Prishtina Mall
Pse është kjo garë e veçantë?
Ky edicion zhvillohet nën moton: “ AMCK, Policia e Kosovës dhe FASK, për Muajin e Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit!” Krahas aspektit sportiv dhe promovimit të ambientit të pastër, qëllimi ynë është i qartë: t’i japim zë shëndetit të grave dhe vajzave, të inkurajojmë kontrollet e rregullta dhe të përçojmë mesazhin se parandalimi fillon me informim dhe veprim.
Çfarë ju pret në pistë?
Deri në 80 garues nga mbarë Kosova: 7 regjione × 10 garues (5 gra + 5 burra) + përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Disiplina: Auto Slalom me vetura elektrike në dy pista të posaçme – mobilitet i qëndrueshëm në shërbim të një kauze.
Formati i garës
Garuesit konkurrojnë ndaras sipas gjinisë (gra / burra), duke testuar manovrim dhe kontroll.
Faza e parë:3 kohët më të mira shpërblehen me kupa dhe medalje.
Kualifikimi:5 kohët më të mira nga secila kategori kalojnë në superfinale.
Superfinalja: shpallen 3 fituesit/et në përgjithësi.
Bëhu pjesë e kauzës!
Na u bashko më 25 tetor në Prishtina Mall për adrenalinë rozë dhe ndërgjegjësim për shëndetin e grave.
Së bashku për sportin, shëndetin dhe një të ardhme më të gjelbër!
Parkingun jugor të Prishtina Mall këtë fundjavë e mbushën shpejtësia, precizioni dhe një atmosferë familjare autosporti. AMCK – Auto Moto Club Kosova, nën patronatin e FASK, përmbylli garat dy ditore me Karting Slalom për të rinjtë dhe Auto Slalom me vetura elektrike për të rritur, me pjesëmarrje të gjerë nga klubet e licencuara dhe tribuna të gjalla nga tifozët e sportit motorik.
Në pistë, duelet u vendosën në qindtat e sekondës. Gara e parë e Auto Slalom u fitua nga Visar Gjikolli (KMDK) me kohë totale 01:12.705, një rikthim i fortë pas një pauze njëvjeçare, ndërsa podiumi u plotësua nga Genc Macula (Eurogoma RT) dhe Faton Majanci (Eurogoma RT).
Gara e dytë i takoi Dren Mariqit (AMKK) me 01:12.917 pa penalitete; pas tij u rendit sërish Genc Macula, ndërsa i treti përfundoi fituesi i garës së parë, Visar Gjikolli.
Për të rinjtë, Karting Slalom solli performanca të pjekura në të katër grupmoshat (U12, U14, U16, U18), me vajza dhe djem që demonstruan kontroll, qetësi nën presion duke respektuar rregulloren e garave – gurët e parë të një karriere potenciale të suksesshme në garim.
Organizimi i AMCK u vlerësua për rrjedhshmërinë dhe standardin e sigurisë: verifikimet teknike, marshaling-u dhe koordinimi me klubet funksionuan siç duhet, duke e bërë eventin të qasshëm dhe motivues për publikun. Për AMCK, këto dy ditë shënojnë progres konkret drejt: rritjes së bazës së talenteve përmes kartingut, promovimit të sigurisë dhe kulturës rrugore, si dhe nxitjes së mobilitetit të qëndrueshëm përmes garimit me vetura elektrike.
Faleminderit garuesve, klubeve, stafit dhe publikut për mbështetjen.
Datat e garave të radhës dhe thirrjet për regjistrim do të komunikohen së shpejti në kanalet zyrtare të AMCK dhe FASK.
Auto Klubi Eurogoma Racing Team ka përfituar mbështetje financiare nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, në kuadër të Thirrjes Publike për Fondin e Mobilitetit 2025 – Kategoria e Sportit, me qëllim përfaqësimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në evenimente motoristike.
Në kuadër të kësaj përkrahjeje, më 19–21 shtator 2025, në qytetin Arad, Rumani nga Organizata ” Asociația Club Sportiv RoDrag Racing”, e specializuar në organizimin e garave të tipit drag racing, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Garuesit që përfaqësuan ekipin e Eurogoma Racing Team ishin:
Mehmet Grajqevci me veturë Audi RS6 C8, viti 2023
Emin Dobra me veturë BMW E20, motor C20LET
Transporti i mjeteve garuese nga Kosova në Rumani, si dhe mbështetja teknike gjatë gjithë zhvillimit të garës, u realizuan nga AMCK (Auto Moto Club Kosova), i cili ishte partner teknik i ekipit në këtë pjesëmarrje ndërkombëtare.
Adrenalina e autosporteve kthehet në kryeqytet: më 20 dhe 21 shtator, prej orës 10:00, parkingu jugor i Prishtina Mall shndërrohet në pistë për dy disiplina zyrtare të sezonit – Karting Slalom dhe Auto Slalom me vetura elektrike. Nën patronatin e Federatës së Autosporteve të Kosovës (FASK) dhe me organizim të AMCK – Auto Moto Club Kosova, klubet e licencuara në vend do të matin forcat për shpejtësi, saktësi dhe klas sportiv, ndërsa publiku pritet të përjetojë një fundjavë të plotë emocioni.
Për të rinjtë, Karting Slalom do të zhvillohet në katër grupmosha – U12, U14, U16 dhe U18 – me pjesëmarrje të hapur për vajza dhe djem. Kjo disiplinë është porta e parë drejt garimit serioz, ku formohen shprehitë e kontrollit të mjetit, vendimmarrjes së shpejtë dhe respektimit të rregullave. Ndërkohë, Auto Slalom u jep të rriturve – si meshkuj ashtu edhe femra – mundësinë të tregojnë precizitet dhe menaxhim inteligjent të fuqisë elektrike, duke dëshmuar se performanca dhe qëndrueshmëria ecin bashkë.
AMCK hyn në këtë fundjavë me disa objektiva të qarta: të rrisë bazën e talenteve vendore përmes kartingut, të konsolidojë kalendarin kombëtar (me synimin që disiplina të jetë e validuar sipas rregullit të të paktën katër garave në vit), si dhe të promovojë sigurinë dhe kulturën rrugore. Po aq e rëndësishme është nxitja e mobilitetit të qëndrueshëm përmes garimit me vetura elektrike, dhe forcimi i bashkëpunimit mes FASK, klubeve dhe komunitetit të autosporteve.
E drejta e pjesëmarrjes u takon vetëm anëtarëve të klubeve të regjistruara në FASK, ndërsa regjistrimi dhe verifikimi do të kryhet në mëngjes, përpara nisjes së sesioneve zyrtare. Për publikun, hyrja do të thotë një përvojë e afërt me garuesit, tingullin e gomave në slalom dhe atmosferën e një ngjarjeje të organizuar me standarden te FIA-se.
AMCK i fton të gjithë dashamirët e sportit motorik që këtë fundjavë t’i bashkohen spektaklit në Prishtina Mall. Një event i sigurt, familjar dhe inspirues – për të zbuluar talentet e reja dhe për të parë nga afër se si autosporti modern po merr formë në Kosovë.
Më 2 dhe 3 gusht 2025, pista e vjetër e Sllatinës u shndërrua në qendrën e adrenalinës dhe garave spektakolare me mbajtjen e Drag Race 2, një prej eventeve më të mëdha të motorsportit në Kosovë.
Gara, e organizuar nga Eurogoma Racing Team, mblodhi dhjetëra garues nga zona të ndryshme të vendit dhe rajonit, duke tërhequr një publik të gjerë të apasionuar pas shpejtësisë dhe sporteve motorike. Atmosfera ishte elektrizuese, ndërsa secili duel në pistë solli emocione dhe sfida të vërteta.
Auto Moto Klubi i Kosovës (AMCK) ishte partner teknik i garës, duke siguruar standardet profesionale dhe kushtet e nevojshme për zhvillimin e saj në mënyrë të rregullt dhe të sigurt. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e AMCK-së për të mbështetur motorsportin vendor dhe për të promovuar kulturën e garave të organizuara sipas rregullave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Drag Race 2 konfirmoi edhe një herë interesimin e madh që ekziston në Kosovë për sportet motorike dhe rëndësinë e partneriteteve profesionale për të ngritur nivelin e tyre organizativ.
Në disa komuna të Kosovës u zhvillua një fushatë vetëdijësuese për sigurinë në trafik, e cila vuri në qendër komunitetet joshumicë të Kosovës, që shpesh ndihen të lëna anash në proceset edukative, shkruan AutoPortali.
Fushata u organizua nga Auto Moto Klubi i Kosovës, me përkrahjen e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA). Duke iu adresuar barrierave gjuhësore dhe mungesës së informacionit, Fis Haliti, drejtor Ekzekutiv i AMCK-së, tha se projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin në trafik tek komunitetet jo shumicë.
“Për të realizuar këtë projekt në një periudhë afatgjatë, kemi krijuar uebfaqen ku të gjithë mund të qasen dhe të shkarkojnë fletushkën në gjuhën përkatëse. Ky projekt mbështetet nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), dhe ne si AMCK jemi kujdesur që ky plan të zbatohet me shumë kujdes. Besoj se përmes bashkëpunimit do të arrijmë të krijojmë siguri në trafik për të gjitha komunitetet në Kosovë.”
Aktiviteti nisi me një sesion të dedikuar për komunitetin rom. Koordinatori i projektit nga AMCK, Nehat Çitaku, e hapi fushatën me një mesazh të qartë. “Siguria në komunikacion nuk duhet të jetë privilegj, por standard për të gjithë.”
Ai tha se numri i madh i aksidenteve me pasoja fatale ka kthyer trafikun në një ndër kërcënimet më serioze për jetën. “Kemi arritur ta sigurojmë një projekt vetëdijësues që synon pikërisht këto komunitete. Fatkeqësisht, shumica e vdekjeve në trafik ndodhin për shkak të veprimeve të pakujdesshme nga vetë vozitësit.” deklaroi Çitaku.
Trajnerja Edita Grajqevci ndau këshilla konkrete për sjellje të përgjegjshme në rrugë. Ajo theksoi se mungesa e rripit të sigurisë, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe drejtimi i veturës nën ndikimin e alkoolit vazhdojnë të jenë shkaktarët kryesorë të aksidenteve. “Kosova, sidomos në vitin 2024, është përballur me një numër shqetësues të aksidenteve fatale. Fushata është e dedikuar për ju, për komunitetin tuaj, që të mos mbeteni jashtë informimit dhe edukimit në trafik,” tha ajo.
Një zë i fuqishëm i komunitetit rom ishte edhe qytetarja Vaide Fazliu, e cila përmes përvojës personale theksoi rëndësinë e kujdesit në çdo udhëtim. “Burri im është ai që vozit, por unë jam gjithmonë në alarm. I them: vozit ngadalë, ruaju në semaforë, vendose rripin. Edhe pse nuk vozis vet, dua të jem e sigurt dhe dua që të gjithë të jenë të kujdesshëm. Më mirë pak më ngadalë, sesa të mos kthehesh fare.”
Në aktivitet mori pjesë edhe zyrtarja e trafikut nga Policia e Kosovës, Nefise Gashi, e cila theksoi se edukimi për sigurinë në trafik duhet të përfshijë të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie. “Komunitetet duhet ta ndjejnë veten pjesë të barabartë të këtij edukimi. Bashkëpunimi me Policinë është i domosdoshëm për ta bërë trafikun më të sigurt për të gjithë.Nuk mjafton të jesh pjesëmarrës në trafik, duhet të jesh i vetëdijshëm.”
Sesioni i dytë iu kushtua komunitetit ashkali, ku trajneri Faton Beka theksoi se njohuritë mbi sigurinë janë jetike, sidomos në një kohë kur thuajse çdo familje ka një veturë në shtpi. “Nuk ka shtëpi pa veturë sot. Por me veturën vjen edhe përgjegjësia. Këto trajnime janë mundësi që duhet t’i shfrytëzojmë për të kuptuar rrezikun dhe si të sillemi në mënyrë që ta shmangim atë.”
Qytetari Haki Abazi rrëfeu një përvojë personale, që sipas tij ia shtoi edhe më shumë vetëdijen për rregullat në trafik. “Për 12 vjet nuk kam marrë asnjë dënim. Njëherë më paralajmëruan për parkim të gabuar dhe Policia vendosi të mos më dënojë pasi u tregova i sinqertë. Që nga ajo ditë, jam edhe më i kujdesshëm.”
“Edukimi është po aq i rëndësishëm sa infrastruktura”
Edhe komuniteti serb u përfshi në këtë fushatë përmes një sesioni reflektues dhe informues. Trajnerja Ivana Spasiq solli statistika shqetësuese mbi numrin e aksidenteve në Kosovë. “Vetëm në vitin 2024 janë evidentuar mbi 22 mijë e 500 aksidente, 90 prej tyre me humbje jete. Është një trend që duhet ndalur urgjentisht.”
Qytetari Slavisha Agjanciq mirëpriti fushatën dhe theksoi se edukimi rrugor duhet të shkojë paralel me përmirësimin e infrastrukturës. “Problemet kryesore janë mungesa e shenjave të komunikacionit, sinjalizimi i dobët, përdorimi i telefonit dhe mosvendosja e rripit. Këto janë çështje që na prekin të gjithëve.” Ndërkohë, Dejan Javqnoviq shtoi se përveç dënimeve financiare, duhet të ketë edhe masa më të rrepta për shkelësit e rregullave të trafikut.“Për përdorimin e telefonit dhe vozitjen nën ndikim të alkoolit, dënimet duhet të jenë më të mëdha. Madje të merren edhe pikët e patentë-shoferëve. Vetëm përmes ndërgjegjësimit të përbashkët ndalet rritja e aksidenteve.”
Në një komunë tjetër, fushata kulmoi me takimin me komunitetin turk. Trajneri Edin Kude dhe qytetarët diskutuan hapur për përvojat e tyre në trafik dhe nevojën për më shumë vetëdije. Qytetari Mehmet Allajbeg theksoi se shkeljet më të shpeshta janë ato më bazike. “Më së shumti më pengojnë ata që nuk vendosin rripin. Edhe grupet e njerëzve që qëndrojnë në rrugë ndikojnë keq. Prizreni është më i rregullt këtë vit, por ka ende për të bërë.”
Në diskutim u përfshinë edhe Bylent Spahija dhe Sejfi Kodra, të cilët dhanë mesazhe të forta: “Shpejtësia është armiku kryesor,” tha Spahija.“Në magjistralen e Ibrit kanë vdekur më shumë njerëz se në luftën e Bosnjës.”, shtoi Kodra.
Gjatë fushatës u shpërndanë fletushka informuese nëpër lagje dhe qendra të komuniteteve pjesëmarrëse, me qëllim që mesazhet të përçohen përtej sallave të trajnimeve. Kjo nismë u mbyll me një apel të qartë, siguria në trafik fillon nga vetja. Pavarësisht gjuhës, kombësisë apo prejardhjes, secili ka përgjegjësi, dhe ajo është e përbashkët. /AutoPortali/
Më 17 e 18 korrik, dy zyrtarë të lartë të ADAC (klubi më i madh i mobilitetit në Evropë), Gerd Ennser, president i Motorsportit dhe Eventeve Klasike dhe Karlheinz Jungbeck, drejtor i Turizmit kanë qenë mysafirë të Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe Auto Moto Klubit të Kosovës (AMCK).
Mysafirët nga Gjermania u pritën nga kryetari Ismet Rexhepi, Bekim Ahmeti, Rexhep Baholli, Nehat Çitaku e Apoita Rexhepi, ndërsa të pranishëm ishin edhe Ibër Alaj drejtor i Departamentit të Sportit dhe Bardh Krasniqi drejtor i Drejtoratit për Sport në Komunën e Prishtinës.
“Më 17 e 18 korrik i patëm dy mysafirë shumë të respektuar nga ADAC, që është klubi më i madh i mobilitetit në Evropë. Bëhet fjalë për institucionin e dytë më kredibil të sigurisë në Gjermani, ku dihet që i pari gjithmonë është policia. Mësafirë tanë ishin Gerd Ennser, president i Motorsportit dhe Eventeve Klasike në ADAC dhe Karlheinz Jungbeck, drejtor i Turizmit, me të cilët biseduam gjatë dhe për tema të ndryshme”, ka thënë kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi.
“ADAC përveç mobilitetit e ka edhe sportin, ndërsa për ata që nuk e dinë, në mobilitet përfshihen siguria në trafik, asistenca rrugore, turizimi dhe ambienti. Ne i kemi takuar në Asamblenë e Përgjithshme në Baku dhe i kemi ftuar për vizitë në vendin tonë. Jemi të kënaqur që ftesës i janë përgjigjur pozitivisht. Qëllimi i vizitës është forcimi i bashkëpunimit në fushat e njëjta. AMCK dhe FASK në Kosovë luajnë rol të rëndësishëm si në aspektin e sigurisë ashtu edhe atë sportiv”, ka shtuar Rexhepi, duke theksuar se Kosova mund të përfitojë nga njerëz e institucione të tilla.
“Gjatë këtyre dy ditëve kemi folur për eksperienca të ndryshme dhe përvojën e tyre 121 vjeçare në FIA. Jemi dakoarduar t’i bashkërendisim aktivitetet. Nga të dyja palët është vlerësuar se ka potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim në fushat e përmenduar. Kosova ka nevojë dhe vullnet, ata i kanë mundësitë. Pas kthimit në Gjermani, ata do t’i njoftojnë anëtarët tjerë të Bordit me atë që kanë parë në Kosovë, si në aspektin e resurseve njerëzore, infrastrukturën dhe qëllimet që i kemi”, ka bërë të ditur kryetari i FASK-ut, njëkohësisht themelues i AMCK-së.
Të dyja palët janë pajtuar që në ditët në vazhdim të ketë një vizitë të delegacionit tonë në Gjermani.