Parkingun jugor të Prishtina Mall këtë fundjavë e mbushën shpejtësia, precizioni dhe një atmosferë familjare autosporti. AMCK – Auto Moto Club Kosova, nën patronatin e FASK, përmbylli garat dy ditore me Karting Slalom për të rinjtë dhe Auto Slalom me vetura elektrike për të rritur, me pjesëmarrje të gjerë nga klubet e licencuara dhe tribuna të gjalla nga tifozët e sportit motorik.
Në pistë, duelet u vendosën në qindtat e sekondës. Gara e parë e Auto Slalom u fitua nga Visar Gjikolli (KMDK) me kohë totale 01:12.705, një rikthim i fortë pas një pauze njëvjeçare, ndërsa podiumi u plotësua nga Genc Macula (Eurogoma RT) dhe Faton Majanci (Eurogoma RT).
Gara e dytë i takoi Dren Mariqit (AMKK) me 01:12.917 pa penalitete; pas tij u rendit sërish Genc Macula, ndërsa i treti përfundoi fituesi i garës së parë, Visar Gjikolli.
Për të rinjtë, Karting Slalom solli performanca të pjekura në të katër grupmoshat (U12, U14, U16, U18), me vajza dhe djem që demonstruan kontroll, qetësi nën presion duke respektuar rregulloren e garave – gurët e parë të një karriere potenciale të suksesshme në garim.
Organizimi i AMCK u vlerësua për rrjedhshmërinë dhe standardin e sigurisë: verifikimet teknike, marshaling-u dhe koordinimi me klubet funksionuan siç duhet, duke e bërë eventin të qasshëm dhe motivues për publikun. Për AMCK, këto dy ditë shënojnë progres konkret drejt: rritjes së bazës së talenteve përmes kartingut, promovimit të sigurisë dhe kulturës rrugore, si dhe nxitjes së mobilitetit të qëndrueshëm përmes garimit me vetura elektrike.
Faleminderit garuesve, klubeve, stafit dhe publikut për mbështetjen.
Datat e garave të radhës dhe thirrjet për regjistrim do të komunikohen së shpejti në kanalet zyrtare të AMCK dhe FASK.

