Skip to content
goma dimri

Date:

Author:

Category:

Nga 15 nëntori, çdo veturë në Kosovë duhet të jetë e pajisur me goma dimërore. Ky është një nga rregullat më të rëndësishme të qarkullimit në sezonin e ftohtë – dhe një nga masat më efikase për të parandaluar aksidentet në rrugë.

Megjithatë, shumë shoferë vazhdojnë të nënvlerësojnë rolin e gomave të dimrit, duke i zëvendësuar vonë, ose vetëm në rrotat e përparme – një praktikë që vë në rrezik sigurinë e të gjithëve në trafik.

Më shumë se një detaj teknik

Gomat dimërore nuk janë thjesht “goma të zakonshme” me emër tjetër. Ato prodhohen nga përbërje e butë që nuk ngurtësohet në temperatura të ulëta, dhe kanë kanale të thella që shpërndajnë borën dhe ujin, duke rritur kapjen me asfaltin. Kjo i bën ato të domosdoshme posa temperaturat zbresin nën 7°C – edhe nëse nuk ka borë.

Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, veturat me goma verore në rrugë të lagështa apo të ngrira kanë distancë ndalimi shumë më të gjatë dhe janë më të prira për të humbur kontrollin në kthesa.

Katër, jo dy!

Një tjetër keqkuptim i përhapur është ideja se “dy goma dimërore mjaftojnë”. Kjo është e gabuar dhe e rrezikshme. Vetëm nëse të katër rrotat janë të pajisura me goma dimërore, vetura mund të ruajë balancin gjatë frenimit apo manovrimit në akull dhe borë. Përndryshe, rreziku i rrotullimit ose rrëshqitjes është shumë i lartë.

Simboli që duhet kërkuar

Çdo gomë dimërore e certifikuar duhet të ketë në anën e jashtme simbolin “tri majat e malit me një flok bore” – i njohur si 3PMSF (Three Peak Mountain Snowflake). Ky simbol është garanci që goma është testuar për performancë në kushte dimri.

Rregulloret në Kosovë

Ligji në Kosovë është i qartë: nga 15 nëntori deri më 15 mars, çdo automjet që qarkullon në rrugë duhet të jetë i pajisur me goma dimërore. Në rastet kur rruga është e mbuluar me borë ose akull, kërkohet edhe posedimi i zinxhirëve në bagazh. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve mund të rezultojë me gjobë, por mbi të gjitha, mund të rrezikojë jetën.