Skip to content
eAuto Slalom gara për muajin e vetëdijësimit për kancerin e gjirit

Date:

Author:

Category:

Të shtunën (25 tetor 2025), parkingu jugor i qendrës tregtare “Prishtina Mall” u shndërrua në pistë elektrizuese për një ngjarje të veçantë: gara auto sllallom me vetura elektrike, e organizuar nga Auto Moto Club Kosova (AMCK) dhe Federata e Auto Sportit të Kosovës (FASK), në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, e cila u paraqit me një pjesëmarrje mbresëlënëse.

Ngjarja, përveç komponentës sportive, kishte një mesazh të fortë dhe human – të ngrisë vetëdijen në luftën kundër kancerit të gjirit. Tetë ekipe garuese, përfaqësuese të shtatë regjioneve policore si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme, u sfiduan gjatë gjithë ditës në gara individuale (femra e meshkuj), ekipore dhe në një superfinale emocionuese.

Pas fazave kualifikuese me më shumë se 80 pjesëmarrës, u përzgjodhën 10 finalistët më të mirë – nga pesë për secilën kategori gjinore – të cilët garuan për titullin në superfinalen përmbyllëse.

Fituesja e madhe e ditës ishte Ermira Topalli nga Rajoni i Ferizajt – 05, e cila shkëlqeu me kohë të jashtëzakonshme: 37.830 dhe 37.939 sekonda, për një total mbresëlënës prej 01:15.769.

“Jam thellësisht falënderuese për organizatorët që i dhanë kësaj gare një mision kaq të rëndësishëm – mbështetjen për gratë që luftojnë me kancerin e gjirit. Po ashtu, jam e lumtur për pjesëmarrjen e kolegëve nga e gjithë Policia e Kosovës. Fitorja është një emocion më vete, veçanërisht duke pasur parasysh konkurrencën e fortë edhe me kolegë meshkuj në finale,” u shpreh Ermira, e cila dikur ishte garuese aktive në AK Ferizaj.

Pavarësisht një pauze të gjatë nga garat, ajo dëshmoi se aftësitë dhe përvoja mbesin të gjalla.

Ismet Rexhepi, drejtori i garës, vlerësoi ngjarjen si tejet të suksesshme:
“Ishte një ditë dinamike dhe e mbushur me energji pozitive. Falënderojmë Policinë e Kosovës për angazhimin dhe pjesëmarrjen. Qëllimi ynë kryesor ishte të kontribuojmë në ndërgjegjësimin për luftën kundër kancerit të gjirit – dhe kjo garë ishte mënyra jonë për të thënë që jemi pranë çdo gruaje që po përballet me këtë sfidë. Plane të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen.”

Sa i përket renditjes, në kategorinë e meshkujve, triumfoi Ram Bobaj nga Rajoni i Prizrenit, i ndjekur nga Kastriot Ratkoceri (Drejtoria e Përgjithshme) dhe Liridon Krasniqi (Rajoni i Prishtinës).

Në kategorinë e femrave, pas Ermirës, u renditën Adea Popaj (Rajoni i Prizrenit) dhe Shqipe Osmani-Ademaj (Drejtoria e Përgjithshme).

Renditja ekipore për kategorinë e femrave ishte si vijon:

  1. Rajoni i Ferizajt
  2. Drejtoria e Përgjithshme
  3. Rajoni i Prizrenit
  4. Rajoni i Gjilanit
  5. Rajoni i Mitrovicës
  6. Rajoni i Prishtinës
  7. Rajoni i Pejës
  8. Rajoni i Gjakovës

Ndërsa te meshkujt, renditja e rajoneve ishte:

  1. Prizreni
  2. Peja
  3. Drejtoria e Përgjithshme
  4. Prishtina
  5. Mitrovica
  6. Ferizaj
  7. Gjilani
  8. Gjakova

Në përfundim të garës, AMCK ndau një donacion me vlerë prej 3000 euro për blerjen e pakove ndihmëse për gratë që përballen me kancerin e gjirit, duke theksuar se mbështetja do të vazhdojë si pjesë e misionit të tyre për përgjegjësi sociale.