Mungesa e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në rrugët e Pejës, rrezik edhe për aksidente
Sinjalizimi horizontal dhe vertikal është i rëndësishëm për mbajtën e rendit, duke ndihmuar në sigurimin e lëvizjes së trafikut pa pengesa në rrugë dhe kryqëzime. Shenjat horizontale, shigjetat, tekstet, numrat dhe vijat e ndalimit bëjnë që të krijohet një rrugë dhe kryqëzim më i sigurt dhe me i informuar. Ndërsa, në shenjat vertikale, rregullimi dhe paralajmërimi për rrezik janë shumë të rëndësishëm për sa i përket sjelljes dhe informacionit për ngasësit.
Në një raport të Republikës së Kosovës “Siguria në Trafikun Rrugor” thuhet se në të gjitha komunat e Kosovës, përgjegjësi për sinjalizimin horizontal dhe vertikal të rrugëve, së bashku me mirëmbajtjen verore, dimërore, vendosjen, rivendosjen dhe mirëmbajtjen e shenjave të trafikut kanë Drejtoria e Shërbimeve Publike (DShP).
Ndërkaq, në qytetin e Pejës të gjitha rrugët pa përjashtim kanë mungesë të madhe të sinjalizuesve horizontal dhe vertikal duke përfshirë edhe qendrën e qytetit, siç tregon Instruktori i Auto shkollës “Trafiku”, Bujar Gashi.
“Mungojnë vijat e plota gjatësore të skajeve të rrugës, ka mospërputhje të sinjalizimit horizontal dhe vertikal, vijat shlyhen dhe nuk shkruhen më, shenjat dëmtohen dhe nuk zëvendësohen, semaforët ka vite që nuk punojnë dhe gabimet që janë bërë në shenja nga drejtimi i Prishtinës, shenjat që tregojnë drejtimet për Deçan, Gjakovë, renditja e vendbanimeve është gabimisht”, thotë Gashi.
Ai gjithashtu tregon se për turistët, madje edhe qytetarët e Pejës që e kanë të pamundur orientimin në rreth rrotullimin e Vitomericës dhe atë për Deçan pasi që mungojnë shenjat me informacion për drejtim të hyrjes dhe daljes.
Mungesa e sinjalizuesve mund të shkaktojë edhe aksidente në rrugë. Në raportin “Siguria në Trafikun Rrugor” është konstatuar që në periudhën dy vjeçare 2016-2018, rrugët kanë qenë pa mirëmbajtën e sinjalizimit dhe si rezultat i kësaj është rritur numri i aksidenteve me fatalitet.
Gjatë periudhës kohore janar-shtator 2020, në qytetin e Pejës kanë ndodhur 19 aksidente si pasojë e mungesës së sinjalizuesve, tregon toger Fadil Gashi, udhëheqës i Zyrës Rajonale për Marrëdhënie me Publikun.
“Rastet kanë ndodhur në brendësi të lagjeve të qytetit ku rrugët – kryqëzimet nuk janë të shenjëzuara me shenja horizontale dhe vertikale dhe paraqet paqartësi tek vozitësit dhe pjesëmarrësit në trafik”, u shpreh Gashi.
Profesori i Komunikacioni Rrugor, Besim Ahmeti mbështet këtë fakt, i cili thotë që mungesa e sinjalizuesve horizontal dhe vertikal është njëra prej shkaktarëve të aksidenteve dhe fatkeqësive në komunikacionin rrugor.
“Mungesa e sinjalizimit horizontal dhe vertikal shumicën e rasteve shkakton aksidente në komunikacion, për arsye që ngasësit e automjeteve nuk marrin informacione të nevojshme dhe pa sinjalizim të nevojshëm keq informohen”, tregon Ahmeti.
Profesori lë përgjegjës Ministrinë e Transportit dhe Komunat si dhe të njëjtin mendim shpreh edhe Instruktori Gashi.
“Fajin e bart Ministria e Transportit por edhe komunat sepse ato për çdo automjete të regjistruar marrin taksën rrugore diku 40€ dhe komuna 10€, por këto taksa nuk kthehen në përmirësim të kushteve në rrugë”, shprehet instruktori Gashi për gjendjen aktuale në Pejë.
Ndërkaq, Ahmeti sugjeron që të krijohet një databazë në mënyrë që të ketë informacione lidhur me sinjalizimin horizontal dhe vertikal, pasi që kompanitë të cilat janë përgjegjëse për ndërmarrjen e kësaj punë “kanë mundësi të mos i vendosin këtë lloj sinjalizimi duke thënë se e kemi vendose, praktikisht të gënjejnë”.
Instruktori Gashi tregon se mungesa e sinjalizimit po ndikon negativisht edhe ne punën e auto shkollave, të cilat janë përgjegjëse për aftësimin e ngasësve të rinj.
“Pjesa teorike nuk mund të lidhet me pjesën praktike dhe kandidatët e qytetit të Pejës gjatë trajnimit nuk e kanë mundësinë të shohin shumicën e shenjave, nuk kanë mundësinë të shohin funksionimin e semaforëve, nuk kanë mundësinë të ngasin në autoudhë dhe këto ata duhet t’i bëjnë si ngasës fillestar duke rrezikuar vetën dhe të tjerët për shkak të mosmundësisë për aftësim adekuat”, thotë instruktori.
Sipas raportit me Rekomandime nga Njësitë Task Forcë, këshillohet të hartohet një projekt, i cili duhet të jetë në përputhje me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës, për plotësimin dhe përmirësimin e sinjalizimit të trafikut për të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës.
Xhevahire Çeku-Kelmendi, Drejtoreshë për Punë Komunale dhe Shërbime Publike, tregon që Drejtoria për Punë Komunale ka kontratë e cila është duke vepruar për menaxhimin dhe rregullimin e kësaj situate.
“…këtë vit për shkak të pandemisë nuk kemi qenë të përgatitur sa duhet në aspektin financiar dhe planifikimit për me hap edhe një tender mirëpo, shumë shpejt kemi me hap këtë tender. Projekt i cili është përpilua në kuadër të tre institucioneve përkatëse siç është; Inxhinieri i Drejtorisë për Punë Komunale, Inxhinieri i Inspektoratit që është i komunikacionit dhe Inxhinieri i Policisë”, tha ajo.
“Ky komision apo grup punues është përcaktuar prej Drejtorisë dhe Zyrës së Kryetarit, kanë dal në terren dhe e kanë verifiku komplet situatën se ku është e nevojshme, çka është e nevojshme dhe arsyen pse duhet medoemos”, shtoi më tej Çeku-Kelmendi.
Sipas saj, arsye pse është marrë vendimi të hapet tenderi i ri për t’i përmbushur këto mungesa, është sepse projekti ka pasur kosto të lartë dhe me kontratën aktuale nuk ka qenë e mundur të realizohet.
Sipas Emira Destanoviq, Egzaminere në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe Eksperte për analiza të aksidenteve në komunikacion rrugor në Ekspertizë Gjyqësore, thotë që duhet të krijohen një projekt që ka për qëllim të funksionoj komunikacioni.
“…nga rrethi i Vitomericës deri në qendër të qytetit janë gjashtë, shtatë udhëkryqe ashtu edhe në anën tjetër prej rrethrotullimit që vjen nga rruga e Deçanit që ndërlidh qytetin e Pejës. Kem udhëkryqe të cilat janë me dy shirita, me shumë udhëkryqe pra, shumë ndërlidhje të cilët e pengojnë zhvillimin e komunikacionit. Tjetër anë kemi rrugë me dy shirita, rrethrotullim me një dalje, apo me një hyrje dhe aty bllokohet në udhëkryqe komunikacioni, arsye është mungesa e sinjalizimit, kur nuk e ki një shirit që prehet menjëherë ti e bllokon komunikacionin dhe nuk e ki zhvillimin”, thotë ajo.
Mirëpo, Destanoviq, tregon që Komuna është ajo që vendos se cili projekt duhet të merret për të rregulluar mungesën e sinjalizuesve.
Ndryshe, komuna e Pejës është duke punuar në hapjen e një tenderi të ri për përmbushjen e sinjalistikës, ata kanë qenë të detyruar të hapin një kontratë shtesë sepse buxheti i paraparë për kontratën aktuale ishte i ulët. Thuhet në një lajm nga Telegrafi (Albina Kelmendi), transmeton AMCK.