Ka disa vite që për regjistrimin e veturave, qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë tatimin në pronë dhe shërbimet tjera komunale.
Deri para shfaqjes së pandemisë COVID-19, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, ishin 150 mijë vetura të paregjistruara. Por pandemia ka ndikuar që të rritet dukshëm ky numër.
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka pranuar se numri i veturave të paregjistruara është në rritje. Ai ka thënë se për t’u liruar qytetarët nga kushtëzimet për regjistrim, duhet bëhen ndryshime ligjore.
“Po është fakt se një numër i madh i veturave në Republikën e Kosovës janë të paregjistruara. Numri është rritur, në fakt edhe gjatë kohës së pandemisë, mirëpo rritja e këtij numri bëhet fjalë për veturat që bëjnë regjistrime të rregullta, që për shkaqe dhe arsye të njohura, kanë mbetur edhe një numër i caktuar.
Për sa i takon numrit të mjeteve të paregjistruara si kontigjencë për gjatë viteve, ne me Bankën Qendrore të Kosovës dhe me kompanitë e sigurimeve, kemi filluar hartimin e një udhëzimi administrative, me të cilin do ta rregullojmë këtë çështje dhe në momentin e parë që na krijohen kushtet dhe rrethanat do ta procedojmë”, ka thënë mnistri për KosovaPress.
Ai po ashtu ka thënë se për veturat që kanë mbetur pa u regjistruar për shkaqe të pandemisë, MPBAP-ja po vepron me vendime të herë pas hershme, derisa shton se çështja e pagesave është e rregulluar me udhëzime administrative.
“Kur po ka vështirësi po e zgjasim afatin e regjistrimit. Nga një herë ka edhe mungesë për tabelat për shkak të furnizimit jo të mirë me tabela. Nga një herë janë arsye të tjera, mirëpo, ne po veprojmë në kushte të pandemisë me vendime të veçanta në mënyrë që ta rregullojmë këtë çështje.
Çështja e pagesave është rregulluar me udhëzime të ndryshme, me ligje. Kështu që ne ndonjë rregull mund ta përjashtojmë, por pa ndryshime ligjore ne nuk mund të bëjmë më tepër”, thotë ai.
Derisa, ministri i Infrastrukturës, i kontaktuar nga KosovaPress, ka thënë se asnjë prej këtyre kushtëzimeve për regjistrim, nuk janë në kompetencën e kësaj ministrie. Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, thotë se sipas ligjeve në fuqi, respektivisht Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, është përcaktuar mënyrat e mbledhjes së detyrueshme të tatimit në pronë të cilat mund të ushtrohen nga organet kompetente.
Ai ka marrë në vlerësim numrin e tërësishëm të mjeteve motorike të siguruara dhe ka konstatuar se rreth 350 mijë qytetarë janë të kushtëzuar në procesin e regjistrimit të mjetit të tyre motorik.
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve bëri me dije se me datë 24.06.2019 kanë paraqitur ankesë në institucionin e Avokatit të Popullit lidhur me shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet publike dhe lidhur me këtë.